Përmbledhje
Read the full fact sheet- Kur ndodh një ngjarje traumatike, mbijetesa prej kësaj ngjarjeje mund të varet nga trajnimi, përvoja ose reagimet e shpejta.
- Nëse i keni mbijetuar një ngjarjeje traumatike, pavarësisht nëse keni qenë të lënduar apo të padëmtuar fizikisht, është e rëndësishme të pranoni se trauma shkakton edhe dëm emocional.
On this page
- Cilat janë reagimet e zakonshme të mbijetuesit ndaj një ngjarjeje traumatike?
- Pse mund të ndiheni të shkëputur nga jeta juaj e mëparshme pas një ngjarjeje traumatike
- Kur të kërkoni ndihmë për reagimet e mbijetuesit nga një ngjarje traumatike
- Vetë-ndihma për reagimet e mbijetuesit
- Ku të merrni ndihmë
Kur ndodh një ngjarje traumatike, mbijetesa prej kësaj ngjarjeje mund të varet nga trajnimi, përvoja ose reagimet e shpejta. Varet edhe nga vendi ku ju ndodheshit në lidhje me rrezikun teksa ka ndodhur ngjarja.
Nëse i keni mbijetuar një ngjarjeje traumatike, pavarësisht nëse keni qenë të lënduar apo të padëmtuar fizikisht, është e rëndësishme të pranoni se trauma shkakton edhe dëm emocional. Mbijetesa shpesh shoqërohet me reagime komplekse emocionale që shkaktojnë shqetësim/ankth dhe e bëjnë të vështirë rifillimin e jetës së përditshme pas ngjarjes. Këto njihen si 'reagimet e mbijetuesit'.
Cilat janë reagimet e zakonshme të mbijetuesit ndaj një ngjarjeje traumatike?
Ju mund të ndjeni një sërë reagimesh të zakonshme emocionale si një mbijetues i një ngjarjeje traumatike:
- faj dhe vetëfajësim - ndjenja se disi mbijetesa juaj është në kurriz të atyre që vdiqën ose që u plagosën
- padenjësia/ mosvlerësimi i vetes - ndjenja se jeta e njerëzve duhet të kursehej sepse ata ishin të veçantë, të mirë, të denjë ose sepse kishin një dhunti të veçantë - dhe ndjenja se këto kushte nuk vlejnë për ju
- Unë nuk duhet të kisha mbijetuar - ndjenja se ju duhet të kishit vdekur së bashku me të tjerët dhe nuk duhet të ishit gjallë, duke ju bërë që të ndjeheni të paaftë për të rifilluar jetën tuaj të mëparshme
- humbja e lidhjes me jetën tuaj të mëparshme – një ngjarje dramatike, e pazakontë nuk është pjesë e jetës që keni jetuar më parë dhe nuk ndjeheni në gjendje t'i ktheheni shqetësimeve të zakonshme, të përditshme kur kaq shumë jetë të tjera kanë ndryshuar përgjithmonë dhe ata përreth jush nuk mund t’ju kuptojnë
- çorientimi – ndjenja e të mos diturit se çfarë do të thotë pasi nuk keni pasur kurrë më parë një përvojë të ngjashme
- inatosja dhe fajësimi ndaj të tjerëve – shpesh ka një preokupim se kush e kishte fajin dhe ndjenja të forta inatosje dhe fajësimi ndaj tyre, ose shërbimeve të urgjencës, qeverisë ose personave të tjerë në autoritet. Këto ndjenja mund të pengojnë pranimin e ngjarjes dhe të shkaktojnë shqetësime të vazhdueshme
- një reagim pozitiv – mund të zbuloni se përvoja e mbijetesës ka një efekt dramatik pozitiv mbi ju, duke ju bërë të ndjeheni se:
- jeta ka kuptim të ri (ndoshta ngjarja ka frymëzuar ose forcuar vlerat humanitare ose shpirtërore)
- i vlerësoni gjërat e përditshme dhe nuk i anashkaloni më ato
- keni një sens të ripërtërirë qëllimi për të shfrytëzuar sa më mirë kohën e disponueshme që ju ka mbetur
- i vlerësoni më shumë marrëdhëniet tuaja me familjen dhe miqtë
- e vlerësoni më tepër komunitetin.
Çdo mbijetues i një incidenti traumatik mund t'i përjetojë këto ndjenja, duke përfshirë ndihmësit, dëshmitarët, reaguesit e parë të urgjencës, anëtarët e familjes dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor.
Pse mund të ndiheni të shkëputur nga jeta juaj e mëparshme pas një ngjarjeje traumatike
Kontakti i afërt me vdekjen dhe lëndimin mund të ngjallë reagime emocionale të rëndësishme dhe dërrmuese që e bëjnë të vështirë të ndjehesh i/e motivuar për t'u rikthyer në detyrat rutinë. Këto emocione janë të panjohura, të forta dhe kërkojnë vëmendje, por nuk kanë asnjë lidhje me jetën tuaj të përditshme.
Si rezultat, jeta juaj e mëparshme nuk duket sikur ka më të njëjtën rëndësi si më parë. Nëse nuk keni asnjë mënyrë për të shprehur ose për të kuptuar ndjenjat komplekse që jeni duke përjetuar, mund t'ju çojë në një ndjenjë çorientimi dhe në humbjen e lidhjes me jetën tuaj të mëparshme.
Shkëputja mund të jetë nga njerëz që janë afër jush; nga aktivitete si puna apo jeta juaj shoqërore; ose nga gjërat që më parë kishin vlerë, si feja, aktivitetet e kohës së lirë dhe sportet. Gjithashtu mund të keni ndjenja shkëputjeje nga personi që jeni ndjerë se keni qenë përpara ngjarjes.
Kur të kërkoni ndihmë për reagimet e mbijetuesit nga një ngjarje traumatike
Reagimet e mbijetuesit janë pasoja normale të përfshirjes me një ngjarje traumatike. Megjithatë, nëse ato nuk fillojnë të lehtësohen pas disa javësh, mund të rezultojë në shqetësime të konsiderueshme. Për disa njerëz, kjo mund të çojë në probleme të shëndetit mendor (ose të përkeqësojë problemet e shëndetit mendor që ata kishin para ngjarjes), të tilla si stresi pas-traumatik, reagimet depresive ose gjendje ankthi.
Mbështetja e hershme nga profesionistë të trajnuar mund të parandalojë komplikimet dhe të ndihmojë procesin e rikuperimit. Kërkoni ndihmë profesionale nëse:
- reagimet tuaja po ndërhyjnë në jetën dhe marrëdhëniet tuaja të përditshme
- ngjarja nuk duket se po zbehet/venitet dhe ndjenjat tuaja për të nuk po lehtësohen
- sido që ta shikoni, ngjarja nuk ka kuptim
- po përjetoni humbje interesi për aktivitete që me parë ishin të këndshme ose kuptimplota për ju
- po izoloheni
- keni vështirësi me gjumin, ngrënien, humorin, marrëdhëniet, punën ose kohën e lirë
- vazhdoni të ndjeni emocione të forta si inat, frikë, faj dhe konflikt
- keni mendime për vetë-ndëshkim ose vetë-dëmtim, ose merrni rreziqe që normalisht nuk do t'i ndërmerrnit.
Vetë-ndihma për reagimet e mbijetuesit
Nëse jeni duke përjetuar reagime të mbijetuesit ndaj një ngjarjeje traumatike, ka një sërë masash që mund të merrni për të ndihmuar veten.
- Flisni me njerëz mbështetës që nuk do t'ju gjykojnë. Shpjegimi i emocioneve tuaja mund t'ju ndihmojë të shkoni një hap mbrapa dhe t'i shikoni gjërat në perspektivë tjetër.
- Mos u mundoni të hiqni dorë nga reagimet tuaja – pranojini ato, përpiquni t'i kuptoni dhe jepini vetes kohë që ato të zbehen, por kini parasysh se të menduarit logjikisht mund të mos ndihmojë në kapërcimin e një reagimi emocional ndaj një ngjarjeje traumatike.
- Pranoni se jeni "qenie njerëzore". Gjithçka që dikush mund të bëjë në rast urgjence është ajo që e lejon situata.
- Mundohuni të mos e krahasoni veten me të tjerët - të gjithë njerëzit janë të ndryshëm. Në vend të kësaj, përpiquni të vlerësoni situatën tuaj sipas meritave të veta dhe mos prisni nga vetja më shumë sesa mund të bëni.
- Mos u përpiqni të ‘zhveshni’ ndjenjën e fajit duke vendosur standarde të larta arritjeje pasi rrallë herë lehtëson ndjenjat e padenjësisë/mos vlerësimit të vetes. Në vend të kësaj, përpiquni të përballeni me atë që po nxit ndjenjat tuaja.
- Përpiquni ta pranoni këtë eksperiencë si pjesë të udhëtimit të jetës dhe jo si një problem që duhet ti jepni zgjidhje ose shpjegoni.
Ku të merrni ndihmë
- Mjeku i familjes (doktori), specialisti i shëndetit mendor, si për shembull një psikiatër, psikolog, konsulent ose punonjës social
- Qendra shëndetësore e komunitetit tuaj lokal
- Shërbimet e Referimit të Shoqërisë Psikologjike Australiane Tel. 1800 333 497
- Phoenix Australia Qendra për Shëndetin Mendor Post-Traumatik Tel. (03) 9035 5599
- Qendra për Hidhërim dhe Vajtim Tel. 1800 642 066
Shërbimet e përgjithshme të konsultimit telefonik mund të ofrojnë konsulta:
- Linja e shpëtimit Lifeline Tel. 13 11 14
- Linja e hidhërimit GriefLine Tel. 1300 845 745
- përtej blusë beyondblue Tel. 1300 22 4636
- Infermierja në linjë Tel. 1300 60 60 24 – për informacion dhe konsulta të ekspertëve shëndetësorë (24 orë, 7 ditë)
Për më shumë informacion vizitoni: