Përmbledhje
Read the full fact sheet- Është normale të keni reagime të forta pas një ngjarjeje shqetësuese/hidhëruese ose të frikshme, por ato duhet të fillojnë të zvogëlohen pas disa javësh.
- Njerëzit mund të përjetojnë një sërë reagimesh fizike, mendore, emocionale dhe të sjelljes.
- Ka shumë gjëra që mund të bëni për të përballuar traumën dhe për t’u shëruar.
- Kërkoni ndihmë profesionale nëse nuk filloni të ktheheni në normalitet pas tre ose katër javësh.
On this page
- Reagimet ndaj traumës
- Reagimet mendore ndaj traumës
- Reagimet emocionale ndaj traumës
- Reagimet fizike ndaj traumave
- Reagimet e sjelljes ndaj traumës
- Kuptimi i ngjarjes traumatike
- Ndihma në zgjidhjen e reagimeve traumatike ndaj traumës
- Procesi i shërimit/qetësimit dhe rimëkëmbjes/rikuperimit
- Kërkoni ndihmë nga një profesionist shëndetësor
- Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD)
- Ku të merrni ndihmë
Është normale të kesh reagime të forta emocionale ose fizike pas një ngjarjeje të dhimbshme/të hidhur. Megjithatë, në shumicën e rasteve, këto reagime zvogëlohen si pjesë e proçesit natyror të shërimit dhe rimëkëmbjes së trupit. Ka shumë gjëra që mund të bëni për të ndihmuar në përballimin dhe rikuperimin nga një përvojë e tillë.
Një përvojë traumatike është çdo ngjarje në jetë që shkakton një kërcënim për sigurinë tonë dhe potencialisht vë në rrezik jetën tonë ose jetën e të tjerëve. Si rezultat, personi përjeton nivele të larta shqetësimi emocional, psikologjik dhe fizik që përkohësisht ulin aftësinë e tij për të funksionuar normalisht në jetën e përditshme.
Shembuj të përvojave potencialisht traumatike përfshijnë fatkeqësitë natyrore, të tilla si zjarri ose përmbytja, të qenit dëshmitar i një grabitjeje të armatosur, të kesh një aksident të rëndë me makinë, të jesh në një aeroplan që detyrohet të bëjë një ulje emergjente ose të sulmohesh fizikisht.
Reagimet ndaj traumës
Mënyra se si një person reagon ndaj traumës varet nga lloji dhe ashpërsia e ngjarjes traumatike, nëse personi ka ndonjë përvojë ose trajnim të mëparshëm përkatës, nëse është aktiv ose i pafuqishëm, nga sasia e mbështetjes në dispozicion pas incidentit, nga bezditë e tjera aktuale në jetën e personit, nga personaliteti i tyre, nga nivelet natyrore të aftësisë për t’u rimëkëmbur dhe ndonjë përvojë e mëparshme traumatike.
Reagimet e zakonshme përfshijnë:
- ndjeheni sikur jeni në një gjendje 'gadishmërie të lartë' dhe 'në vigjilencë' për çdo gjë tjetër që mund të ndodhë
- ndjehet i mpirë emocionalisht, sikur në një gjendje "shoku"
- emocionoheni dhe nxeheni (me nerva)
- ndjeheni jashtëzakonisht të këputur dhe të lodhur
- ndjeheni shumë të stresuar dhe/ose në ankth
- jeni shumë mbrojtës ndaj të tjerëve, duke përfshirë familjen dhe miqtë
- nuk doni të largoheni nga nja vend i caktuar nga frika se "çfarë mund të ndodhë"
- vërtiteni midis këtyre reagimeve.
Këto reagime janë normale dhe në shumicën e rasteve, ato zbehen si pjesë e procesit natyror të shërimit dhe rimëkëmbjes së trupit gjatë javëve të ardhshme.
Reagimet mendore ndaj traumës
Reagimet mendore ndaj traumës përfshijnë:
- reduktim i përqendrimit dhe kujtesës
- mendime të bezdisshme rreth ngjarjes
- endje të përsëritura të pjesës të ngjarjes në mendje
- konfuzion/hutim ose çorientim.
Reagimet emocionale ndaj traumës
Reagimet emocionale ndaj traumës mund të përfshijnë:
- frikë, ankth dhe panik
- tronditje – vështirësi për të besuar në atë që ka ndodhur, ndjesi sikur je i veçuar dhe konfuz/ i hutuar
- ndjesi sikur je i mpirë dhe i veçuar
- nuk do të bashkohesh me të tjerët ose je i veçuar nga njerëzit përreth
- jeni si alarm i vazhdueshëm - ndjeheni sikur rreziku është ende atje ose ngjarja po vazhdon
- zhgënjim – pas përfundimit të krizës, rraskapitja mund të bëhet e dukshme. Reagimet emocionale ndaj ngjarjes ndihen gjatë fazës së zhgënjimit dhe përfshijnë depresionin, shmangien, fajin, mbi-ndjeshmërinë dhe mbylljen në vetvete.
Reagimet fizike ndaj traumave
Përvojat traumatike mund të rezultojnë në reagime fizike, dhe përfshijnë:
- lodhje ose rraskapitje
- gjumë i shqetësuar/ i shkëputur
- përzierje, të vjella dhe marramendje
- dhimbje koke
- djersitje e tepruar
- rritje të rrahjeve të zemrës.
Reagimet e sjelljes ndaj traumës
Reagimet e zakonshme të sjelljes ndaj traumës përfshijnë:
- shmangien e gjërave që ju kujtojnë ngjarjen
- pamundësinë për të ndaluar fokusimin në atë që ka ndodhur
- zhytjen në detyrat që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen
- humbjen e kontaktit me rutinat normale të së përditshmes
- ndryshimin e oreksit, si për shembull të hahet shumë më shumë ose shumë më pak
- drejtimin tek substancat si alkooli, cigaret dhe kafeja
- probleme me gjumin.
Kuptimi i ngjarjes traumatike
Pasi ngjarja shqetësuese ka përfunduar, mund ta gjeni veten duke u përpjekur t'i jepni kuptim ngjarjes. Kjo mund të përfshijë të menduarit se si dhe pse ndodhi, si dhe pse jeni përfshirë, pse ndjeheni ashtu siç ndjeheni, nëse ndjenjat që keni tregojnë se çfarë lloj personi jeni, nëse përvoja ka ndryshuar pikëpamjen tuaj për jetën dhe si e ka ndryshuar atë.
Ndihma në zgjidhjen e reagimeve traumatike ndaj traumës
Ka një sërë strategjish që mund ta ndihmojnë personin në zgjidhjen e reagimeve traumatike.
- Pranoni që keni kaluar një përvojë shqetësuese ose të frikshme dhe që do të keni një reagim ndaj saj.
- Pranoni që nuk do të ndjeheni si vetja juaj normale për një periudhë kohore, por kjo gjithashtu do të kalojë pas ca kohe.
- Çdo ditë kujtojini vetes se po ia dilni mbanë – përpiquni të mos zemëroheni ose të irritoheni me veten nëse nuk jeni në gjendje t'i bëni gjërat aq mirë ose me aq efikasitet sa normalisht.
- Mos e teproni me përdorimin e alkoolit ose drogës për t'ju ndihmuar të përballoni situatën.
- Shmangni marrjen e vendimeve të mëdha ose ndryshimet e mëdha të jetës derisa të ndiheni më mirë.
- Përballohuni gradualisht me atë që ka ndodhur - mos u përpiqni ta bllokoni atë.
- Mos i mblidhni përbrenda ndjenjat tuaja - flisni me dikë që mund t'ju mbështesë dhe kuptojë.
- Mundohuni të mbani rutinën tuaj normale dhe të qëndroni të zënë me diçka.
- Mos u mundoni të shmangni vende ose aktivitete të caktuara. Mos lejoni që trauma të kufizojë jetën tuaj, por jepini vetes kohë për t'u kthyer në normalitet.
- Kur ndiheni të rraskapitur, sigurohuni që të planifikoni kohë për të pushuar.
- Gjeni kohë për ushtrime të rregullta – kjo ndihmon në pastrimin e trupit dhe mendjes nga tensioni.
- Ndihmoni familjen dhe miqtë tuaj që t'ju ndihmojnë ju, duke u thënë atyre atë që ju nevojitet, si për shembull pushim ose të flisni me dikë.
- Relaksohuni – përdorni teknika relaksimi si joga, frymëmarrje ose meditim, ose bëni gjëra që ju pëlqejnë, si dëgjimi i muzikës ose merruni me punë në kopsht/bahçe.
- Shprehni ndjenjat tuaja kur ato lindin - flisni me dikë për ndjenjat tuaja ose shkruajini ato.
- Kur trauma sjell kujtime ose ndjenja, përpiquni të përballeni me to. Mendoni për to dhe më pas lërini mënjanë. Nëse sjell kujtime të tjera të së kaluarës, përpiquni t'i mbani ato të ndara nga problemi aktual dhe trajtojini ato veçmas.
Procesi i shërimit/qetësimit dhe rimëkëmbjes/rikuperimit
Çdo ngjarje që vë në rrezik jetën e një personi ose jetën e të tjerëve rezulton në kalimin e trupit të njeriut në një gjendje vigjilence dhe vetëdije. Kjo është si një "gjëndje emergjence" që përfshin zgjimin e një sërë alarmesh të brendshme. Gjëndja e emergjencës u jep njerëzve shumë energji për një periudhë të shkurtër kohore për të maksimizuar mundësinë e mbijetesës.
Shumica e njerëzve qëndrojnë në gjëndje emergjence vetëm për një periudhë të shkurtër kohore ose derisa të kalojë kërcënimi i menjëhershëm, por ndonjëherë njerëzit vazhdojnë të futen në këtë gjëndje kur ndodhin gjëra të papritura. Të qënit në gjëndje emergjence konsumon furnizime jetike të energjisë dhe kjo është arsyeja pse njerëzit shpesh ndihen të lodhur më pas.
Proçesi normal i shërimit dhe rikuperimit përfshin trupin që po qetësohet nga gjëndja e mbi-vigjilencës. Alarmet e brendshme mund të fiken, nivelet e larta të energjisë ulen dhe trupi mund të rivendoset në një gjëndje normale balance dhe ekuilibri. Në mënyrë tipike, kjo duhet të ndodhë përafërshisht brenda një muaji nga ngjarja.
Kërkoni ndihmë nga një profesionist shëndetësor
Stresi traumatik mund të shkaktojë reagime shumë të forta tek disa njerëz dhe mund të bëhet kronik (i vazhdueshëm). Ju duhet të kërkoni ndihmë profesionale nëse:
- ndiheni shumë të shqetësuar pas ngjarjes
- nuk jeni në gjendje të përballoni ndjenjat e forta ose ndjesitë fizike
- nuk keni ndjenja normale, por vazhdoni të ndiheni të mpirë dhe bosh
- ndjeni se nuk keni filluar të ktheheni në normalitet pas tre ose katër javësh
- vazhdoni të keni simptoma të stresit fizik
- vazhdoni të keni gjumë të trazuar/çrregullt ose ëndrra të këqija
- përpiqeni qëllimisht të shmangni çdo gjë që ju kujton përvojën traumatike
- nuk keni askënd me të cilin mund të ndani ndjenjat tuaja
- zbuloni se marrëdhëniet me familjen dhe miqtë po vuajnë
- bëheni të prirur për aksidente dhe përdorni më shumë alkool ose drogë
- nuk mund të ktheheni në punë ose nuk menaxhoni përgjegjësitë
- vazhdoni të rijetoni përvojën traumatike
- ndjeni shumë ankth dhe mund të trembeni lehtësisht.
Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD)
Pas një ngjarjeje shqetësuese, disa njerëz mendojnë se reagimet e tyre janë serioze dhe nuk zbehen gradualisht pas një muaji. Reagimet e rënda dhe të përzgjatura mund t'ju bëjnë të paaftë dhe mund të ndikojnë në marrëdhëniet e një personi me familjen dhe miqtë, si dhe aftësinë e tyre për të punuar. Reagime të tilla mund të tregojnë çrregullim të stresit post-traumatik. Në këtë gjendje, ndikimi i ngjarjes vazhdon të shkaktojë nivele të larta stresi.
Nëse mendoni se mund jeni duke përjetuar PTSD, duhet të kërkoni ndihmë nga një profesionist shëndetësor.
Nëse në çdo moment jeni të shqetësuar për shëndetin tuaj mendor ose shëndetin mendor të një personi tuaj të afërt, telefononi Lifeline në 13 11 14.
Ku të merrni ndihmë
- Mjeku i familjes (doktori), specialisti i shëndetit mendor, si për shembull një psikiatër, psikolog, konsulent ose punonjës social
- Qendra shëndetësore e komunitetit tuaj lokal
- Shërbimet e Referimit të Shoqërisë Psikologjike Australiane Tel. 1800 333 497
- Phoenix Australia Qendra për Shëndetin Mendor Post-Traumatik Tel. (03) 9035 5599
- Qendra për Hidhërim dhe Vajtim Tel. 1800 642 066
Shërbimet e përgjithshme të konsultimit telefonik mund të ofrojnë konsulta:
- Linja e shpëtimit Lifeline Tel. 13 11 14
- Linja e hidhërimit GriefLine Tel. 1300 845 745
- përtej blusë beyondblue Tel. 1300 22 4636
- Infermierja në linjë Tel. 1300 60 60 24 – për informacion dhe konsulta të ekspertëve shëndetësorë (24 orë, 7 ditë)